KEP krijon Agro portalin në përkrahje të komunitetit të fermerëve të Kosovës

Në përputhje me misionin për të përmirësuar standardin e jetesës dhe përkrahjen e zhvillimit ekonomik të vendit, KEP ka sponsorizuar krijimin e një portali të veçantë që do të jetë në shërbim të fermerëve të Kosovës.

AgroPortal është një hapësirë shumë e rëndësishme në të cilën tashmë janë futur informacione të çmueshme, të cilat do ta bëjnë më të lehtë punën e të gjithë atyre që kanë një interes në sektorin e bujqësisë, qofshin ata fermerë aktiv, apo edhe qytetarë tjerë.

Portali përmban video me udhëzime praktike nga terreni, udhëzime të shkruara dhe publikime të ndryshme për sektorin në fjalë. Veç këtyre, do të ketë edhe informacione rreth granteve që ofrohen nga institucione të ndryshme në Kosovë, standarde të cilësisë, informata lidhur me mundësitë e punësimit, informacione mbi ambientin, si dhe të dhëna tjera të nevojshme për fermerët.

Një element tjetër që e bën portalin edhe më të vlefshëm është “Agro Data”, një dritare e posaçme që siguron të dhëna të mbledhura nga institucionet publike relevante. Këto të dhëna të përpunuara më tej, japin një pasqyrë të prodhimit dhe tregtimit të produkteve të ndryshme bujqësore në nivel vendi.

KEP si sponsor i këtij portali dhe Recura Financials si implementuese e projektit do të sigurohen që të dhënat në AgroPortal të jenë vazhdimisht në hap me kohën, në mënyrë që të njëjtat të jenë në shërbim sa më të mirë të të gjithë atyre që i shfrytëzojnë.

Në anën tjetër, KEP do të angazhohet që të ndihmojë komunitetin e fermerëve edhe me projekte të tjera të cilat ndikojnë në arritjen e qëllimeve dhe lehtësojnë rrugën e tyre drejt suksesit.

Të gjithë të interesuarit mund të qasen në AgroPortal përmes lidhjes në vazhdim www.agroportal-ks.com